May 8, 2024
Tirana, Albania
Ekonomi Lajmi i fundit

Taksimi i profesioneve të lira, ja si funksionon skema me shembuj konkretë

Taksimi i profesioneve të lira ka krijuar kaos dhe pasiguri te biznesi. Kjo për shkak të pagesave të larta që janë lëshuar tashmë për profesionistët e lirë. E ndërsa çështja pritet të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, këto biznese po bëjnë llogaritë, që iu dalin ndryshe nga ato të administratës tatimore.

 

Por çfarë parashikon ligji?

 

Në skemë janë dy fasha taksimi: 15% tatim për bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë në vit dhe 23% për ata mbi këtë nivel. Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë në të gjithë vendin që po taksohen, ndërsa qeveria parashikon që të mbledhë 3 miliardë lekë më shumë të ardhura.

 

Por si do të funksionojë kjo skemë taksimi? Le të shohim fillimisht variantin që parashikon ligji, I cili është I ndryshëm nga ai që po zbatojnë aktualisht tatimet.

 

Sipas ligjit, profesioneve me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit, duke t’iu njihen 30% shpenzime të zbritshme, 40.000 të ardhura nga paga minimale dhe fitimi që mbetet të taksohet me 15%. Për profesionet me xhiro mbi 14 mln lekë/vit, zbriten të gjitha shpenzimet e deklaruara dhe fitimi tatohet me 30%.

Por çfarë po ndodh aktualisht dhe si po taksohen profesionistët e lirë? le të shohim grafikisht shembullin e një avokati.

 

Ai ka të ardhura 10 mijë euro; shpenzime faktike 1 mijë euro, çka do të thotë fitim 9 mijë euro. Ky fitim i taksuar e 15%, i bie që avokati duhet të paguajë si tatim fitim 1.350 euro në muaj. Me këtë formulë, tatimet nuk njohin shpenzimet e zbritshme të parashikuara në ligj. Si duhej bërë sipas kuadrit ligjor në fuqi?

 

Avokati ka 10 mijë euro të ardhura; shpenzime të supozuara 3 mijë euro, që pasi zbriten, lënë një fitim 7 mijë euro. Ky fitim taksohet me 15% dhe avokati duhet të paguajë në shtet si tatim fitimi 1050 euro. Aktualisht, tatimet i mbajnë këtij profesionisti të lirë 300 euro më shumë në muaj.

 

Por cilat janë profesionet që po taksohen?

 

Në dhjetor të vitit të kaluar, në Fletoren Zyrtare u botua lista e profesioneve të lira që do të taksoheshin nga 1 janari 2024. Siç duket edhe në këtë renditje, praktikisht cdo fushë dhe profesion i lirë përfshihet në regjimin e ri tatimor.