May 27, 2024
Kosova Lajmi i fundit

Mbi 120 mijë shtëpi të shkatërruara! Dëmet e luftës, Serbia i detyrohet Kosovës rreth 22 miliardë euro

“Përllogariten rreth 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe dëmet materiale sipas ekspertëve janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro”.

 

Kjo është shuma që i detyrohet Serbia-Kosovës për shkak të dëmeve materiale të shkaktuara gjatë luftës së fundit. Këshilltari juridik në institucionin e Avokatit të Popullit, Labinot Sheremeti, bën me dije se sipas organizatave vendore dhe ndërkombëtare, rezulton se mbi 13.500 persona janë vrarë ose zhdukur gjatë viteve 1998-2000.

 

“Mbi 10 mijë prej tyre kanë qenë civilë, 1133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur, ende vazhdon të mbetet i paditur fati i rreth 1.600 personave të zhdukur. Në varrezat masive në Serbi deri në vitin 2021 janë gjetur rreth 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë. Përllogariten afro rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale, mbi 2 mijë persona janë dërguar në mbajtje në burgje në Serbi pas përfundimit të luftës. Së paku 810 mijë qytetarë të Kosovës kanë qenë refugjatë”, tha Këshilltari juridik në institucionin e Avokatit të Popullit, Labinot Sheremeti.

 

Në tryezën e diskutimit për Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, të organizuar nga Avokati i Popullit, u fol dhe për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat. Këshilltari juridik në institucionin e Avokatit të Popullit përmendi ndryshimin e Kodit të procedurës penale me të cilin është mundësuar gjykimi në mungesë për të dyshuarit që kanë kryer krime lufte.