Raketat ruse goditën objektet që prodhojnë energji eletrike në Ukrainën qendrore dhe perëndimore të shtunën, duke e vështirësuar edhe më tej gjendjen e rrjetit të dëmtuar elektrik. Ukraina ndërkohë përballet me mungesa në armatimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, mangësi që pritet të plotësohen nga ndihma e re ushtarake e miratuar rishtazi në Shtetet e Bashkuara.
Sulmi u bë me raketa balistike dhe raketa me vetëdrejtim që lëshuan nga avionët bombardues strategjikë të nisur nga Rrethi Arktik. Ky është sulmi i katërt masiv ajror rus që vendos në objektiv sistemin e furnizimit me energji të Ukrainës që nga 22 marsi.
“Armiku sulmoi sërish me bombardime masive objektet energjitike të Ukrainës”, njoftoi DTEK-ja, kompania më e madhe private ukrainase e energjisë, duke shtuar se katër nga gjashtë termocentralet e saj kishin pësuar dëme gjatë natës.
Ekipet e kërkim-shpëtimit u përpoqën të shuajnë zjarret në disa objekte energjitike në rajonet perëndimore Lviv dhe Ivano-Frankivsk, pranë kufirit me vendet anëtare të NATO-s, Poloninë dhe Rumaninë. Pas sulmeve ndaj objekteve energjitike në rajonin qendror Dnipropetrovsk, u ndërpre edhe furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e lindjes së presidentit Volodymyr Zelenskyy, Kryvyi Rih, thanë zyrtarët.
Sistemet kundërajrore ukrainase rrëzuan 21 nga 34 raketat, njoftoi nëpërmjet një deklarate komanda ajrore ukrainase. Asnjë nga objektet e goditura nuk u identifikua me emër, një masë sigurie kjo që synon t’ia mohojë Rusisë mundësinë e vlerësimit të dëmeve nga sulmet e bëra.
Rusia, e cila filloi sulmin frontal në Ukrainë në shkurt 2022, mohon se vendos në objektiv civilët, por thotë se sistemi energjitik ukrainas është një objektiv legjitim. Autoritetet ukrainase thanë se u plagos një punonjës i energjitikës. Gjatë natës, një spital në qytetin verilindor Kharkiv, i cili është bombarduar rëndë gjatë javëve të fundit, u godit nga një raketë. Në spital gjendeshin 60 pacientë. Nga sulmi u plagos një grua, u dëmtua godina, si dhe linjat e furnizimit me ujë dhe energji, njoftoi guvernatori rajonal./VOA