Opozita e bashkuar ka një qëllim të qartë, rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi nga Durrësi gjatë një takimi të Federatës së Opozitës se koalicioni duhet të thyejë dhe barrierën ideologjike, duke afruar dhe parti të majta që janë kundër Ramës.
“Ka edhe parti të majta, parti të qendrës që nuk mund të pajtohen dhe që e refuzojnë regjimin e Edi Ramës. Ndaj dora jonë për ta duhet të jetë e shtrirë, dera jonë duhet të jetë e hapur. Kjo opozitë duhet të përbashkojë të gjithë ata që kanë nevojë për ndryshim dhe duan të kontribuojnë për një Shqipëri ndryshe”.
Në takim ishte i pranishëm dhe kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu, i cili theksin e vuri tek reforma zgjedhore. Ai ftoi të gjithë aktorët politikë që duan të kontribuojnë në koalicionin e opozitës që të shpalosin propozimet e tyre.
“Çështja që është më proekupante në çdo nivel politik është reforma zgjedhore. Ne kërkojmë që të kemi një diskutim me të gjithë spektrin opozitar, për të parë secila duhet të jetë qasja më e mirë për reformën”.
Gjatë takimit në Durrës, opozita e bashkuar zgjodhi dhe koordinatorin e koalicionit. Agron Duka do të jetë përgjegjësi për koordinimin e të gjitha aktiviteteve të opozitës.