April 25, 2024
Tirana, Albania
Lajmi i fundit Sport

Frikë në Udinese-Roma, Ndicka me problem në zemër shembet në fushë, ndeshja pezullohet

Momente frike në ndeshjen Udinese – Roma, e cila u pezullua nga arbitri në minutën e ’72, pasi mbrojtësi i verdhekuqve Evan Ndicka, i cili vuan nga një sëmundje u shemb në fushë.

 

Ivoriani u shpëtua nga shokët e tij të skuadrës, me Svilar që kuptoi se çfarë po ndodhte dhe tërhoqi vëmendjen e drejtorit të garës. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë por pa përdorur defribilatorin, pasi lojtari e bëri të qartë se ka ndjerë një dhimbje në gjoks.

 

I ndërgjegjshëm, ai u nxor me barelë nga fusha nën duartrokitjet e publikut. 24-vjeçari u dërgua në dhomat e zhveshjes ku edhe Daniele De Rossi nxitoi për të kontrolluar gjendjen e tij.

 

De Rossi, duke u kthyer në fushë nga dhomat e zhveshjes, i bëri të ditur skuadrës së tij se lojtari ishte i vetëdijshëm, por ata nuk pranuan që të vazhdonin të luanin.

 

Pairetto, pas një komunikimi me kapitenët dhe lojtarët e tjerë në fushë, vendosi të pezullojë përfundimisht ndeshjen në minutën e 72-të. Ndeshja, e cila do të duhet të rikuperohet, do të rifillojë me rezultatin 1-1 dhe mbeten për t’u luajtur edhe 18 minuta lojë.

 

Mirëkuptim i madh, padyshim, edhe nga Udinese dhe publiku, të cilët i dhanë duartrokitje të forta mbrojtësit dhe shokëve të tij në bilbilin e fundit të ndeshjes.

 

Roma ndërkohë ka bërë me dije se pas kontrolleve fillestare, lojtari u transportua në spital. Në fakt, elektrokardiogrami ngriti disa dyshime për mundësinë e problemeve me zemrën, duke bërë që stafi mjekësor ta transferonte urgjentisht në spitalin Santa Maria della Misericordia në Udine, por jashtë rrezikut për jetën.