Marrjen e dritës jeshile nga Presidenti Emmanuel Macron për blerjen e 12 avionëve të luftës Rafal, Presidenti Aleksandër Vuçiç e prezantoi si një prej arritjeve kryesore të vizitës së tij në Paris pak ditë më parë.
Ai paralajmëroi nënshkrim të kontratës pas 2 muajve në prani të vetë Macron që, siç tha, do të vizitojë Beogradin, por rrjeti televiziv francez BFM-TV, që citon AFP, raporton se shitja ka gjasë të pezullohet. Media pretendon se kompania prodhuese e avionëve Dassault Aviation po refuzon të diskutojë shitjen e mundshme që pritet të arrijë 3 miliardë eurot, teksa Parisi ka vendosur të presë konfirmime nga zhvillimet politike.
Më tej, media franceze shkruan se Serbia po rrit blerjen e armëve, qofshin ato europiane, kineze apo ruse dhe se në dhjetë vjet buxheti ushtarak serb është trefishuar. Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak serb arriti në 1,4 miliardë euro, më shumë se buxhetet e kombinuara të pesë vendeve të tjera të Ballkanit.
Siç thuhet, afërsia e kreut të shtetit serb me homologun e tij Vladimir Putin përbën problem për Parisin, ndërsa Beogradi nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Analistë të cituar nga media franceze pohojnë se do të ishte qesharake për Parisin që nga njëra anë të përmendej dërgimi i trupave në Ukrainë dhe nga ana tjetër t’i shiteshin armë jashtëzakonisht të sofistikuara njërit prej aleatëve më të afërt të Rusisë.
Sipas ekspertit për Ballkanin Perëndimor, Jasmin Mujanoviç, avionët Rafal në duart e Serbisë mund të përdoren për të frikësuar Kosovën dhe kundër vendeve fqinje.