Kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurimit, gjatë mbrëmjes së të dielës. Temë kryesore ishte sulmi i Iranit ndaj Izraelit si dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.
Qeveria Kurti e dënoi menjëherë sulmin e Teheranit, duke e cilësuar si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë. Siç thuhet në një deklaratë, sulmi u krye me dron SHAHEED të prodhimit iranian.
Mijëra të tillë, pohon zyra e kryeministrit, ka në zotërim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaq sjellje agresive ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht përgjatë kufirit.
Në deklaratë shtohet më tej se institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar dhe po monitorojnë gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.