April 25, 2024
Tirana, Albania
Kronikë Lajmi i fundit

3-vjeçari “rrëmbehet” nga gjyshi në Durrës! Nëna denoncon në polici: S’di ku e kam fëmijën tim

Prej katër ditësh një fëmije 3 vjeç në Durrës është marrë nga gjyshërit nga ana e babait dhe nuk i është kthyer nënës.

Nëna e 3-vjeçarit që mbahet i fshehur nga gjyshërit e tij ka kërkuar me lot në sy nga uniformat blu të gjejnë se ku ndodhet i mituri.

“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë fëmijën të shkonte te gjyshërit e tij”, ka deklaruar nëna e djalit 3-vjecar.

Gjyshi i djalit, Rexhep Gjuni, 58 vjeç, është ndaluar nga policia, pasi nuk tregon ku ndodhet i mituri, i ati i të cilit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.

I mituri jetonte me nënën e tij, Ille Gjuni.

Nga policia e Durrësit bëhet me dije se prej katër ditësh po punojnë për gjetjen e të miturit, për të cilin ende nuk kanë asnjë informacion.

Nëna e 3-vjeçarit, me origjinë nga Dibra dhe banuese në Durrës i ka treguar policisë se gjyshërit e kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur për disa orë në familjen e tyre siç bënin zakonisht, por këtë radhë ata nuk e kane kthyer më.

Fillimisht në polici Rexhepi ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.