Gazment Bardhi bëri një hap pas gjatë javës së shkuar duke anuluar të gjitha vendimet e firmosura prej tij, kur ndiqte vullnetin e Lulzim Bashës, për përjashtimet e deputetëve të Rithemelimit nga Grupi Parlamentar i PD në Kuvend.
Pavarësisht se shkresa e tij e depozituar në Kuvend revokonte çdo masë ndëshkimore për ligjvënësit, Sali Berisha vijon të rezultojë jashtë grupit më të madh të opozitës.
Mungesën e ermit të Berishës, Kuvendi e justifikon me faktin se ndaj ish-Kryeministrit nuk ka pasur ndëshkimore, pasi nuk ka qenë pjesë e grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës.
“Në datën 9 prill 2024 Kuvendi është njoftuar nga z.Gazment Bardhi mbi ‘Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature’. Deputeti Sali Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, thuhet në reagimin e Kuvendit të Shqipërisë.
I pyetur të hënën për këtë çështje, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se shkresa e firmosur prej tij është shumë e qartë por pa dhënë detaje nëse ka pasur në mendje dhe Berishën kur e ka hartuar.
“Komunikimi i grupit parlamentar me Kuvendin është shumë i qartë, nuk ka nevojë për t’u tjerrë dhe për t’u diskutuar ai njoftim. Është një çështje e tejkaluar problematika e grupit të PD.”, tha Gazment Bardhi.
Referuar procedurave ligjore, Berisha tashmë do të duhet të depozitojë në Kuvend vetëdeklarimin që është pjesë e grupit të PD për t’u bërë pjesë e tij.