Kosova arrin një tjetër fitore kundër Serbisë. Në seancën pranverore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku po shqyrtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim, janë rrëzuar të gjitha amendamentet e dëmshme. Kjo është konfirmuar nga delegacioni i Prishtinës, po ashtu edhe nga ai i Beogradit në Strasburg. Konfirmohet se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci votoi kundër të gjitha amendamenteve të propozuara nga delegacioni serb, ai Italian dhe ai hungarez.
Tashmë është zyrtare që formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë një kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Debati për këtë çështje pritet të nisë rreth orës 16:30, ndërsa votimi për opinionin pritet të bëhet përpara orës 20:00.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se sot anëtarëve të Asamblesë të Këshillit të Evropës”, u jepet mundësia të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut!.
Për të kaluar këtë hallkë të dytë të anëtarësimit, Kosovës i duhen dy të tretat e votave, të cilat njofton se i ka, ndërsa hapi I fundit do të ishte vendimi i Këshillit Ministror më 16 maj për të vulosur pranimin në Këshillin e Evropës. Por ky proces po has në kundërshtimin e fortë të Serbisë, që ka krijuar një grup lobimi për të penguar anëtarësimin e Kosovës.