Megjithëse kanë kaluar mbi tre dekada, si trashëgimi e së shkuarës komuniste në zonën e Uzinës së Nitratit të Amonit në Fier, njohur si ish-Azotiku qëndrojnë të depozituara 40 tonë lëndë kimike helmuese, përfshirë arsenikun, Cianurin apo Mërkurin.
Shëndeti i rreth 5 mijë banorë të fshatrave Zhupan, Drizë dhe Plyk rrezikohet sa nga ajri aq edhe nga uji i ndotur. Ndaj vetë Uzina e Plehrave Azotike Fier, pavarësisht se është jashtë funksionit ka hapur një tender për të monitoruar shkallën e ndotjes në atë zonë.
”Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritës”, të monitorohet cilësia e ujërave sipërfaqësore. “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritës”, të monitorohet cilësia e ujërave nëntokësore në puset e monitorimit.”
Në dokumentin e tenderit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik përcaktohen dhe detyrat që kompania fituese që do të bëjë matjet, do të ketë.
”Të përcaktohen të gjitha pajisjet matëse të përdorura në këtë monitorim, për çdo element të kërkuar, dhe ti kushtohet rëndësi e veçantë përshkrimit të pajisjeve dhe metodës së përcaktimit të dy elementëve specifik Arsenikut dhe Mërkurit për vetë impaktin e rëndësishëm që paraqesin këta landfille në mjedis.”
Pavarësisht çaktivizimit dhe groposjes së mbetjeve, përfshirë ato të arsenikut në zonën e ish-Azotikut të Fierit, nuk është realizuar ende studimi i përbërjes së tokës dhe ujërave nëntokësore të zonës, për të parë impaktin afatgjatë të këtyre mbetjeve. Kryera e këtij procesi është diktuar si kusht edhe nga Bashkimi Europian.