October 2, 2024
Politikë

“Puna do të vijojë”, Salianji: Kërkesat për informacion u miratuan, t’u dërgohen institucioneve

Pavarësisht bllokimit nga socialistët, pasi braktisën mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor, demokrati Ervin Salianji deklaroi se puna e komisionit do të vijojë. Salianji i bëri thirrje Kuvendit që të zbatojë vendimin e ndërmjetëm të komisionit dhe të dërgojë kërkesat për informacion në të gjitha institucionet.

 

“Ata kanë përcaktuar që ata të jenë 11, ne të jemi 5, porta e tyre të jetë 2 metra, e jona 9 metra. Arbitrit të jenë të përcaktuar nga ata. Kur ndërhyrjnë ata të quhet faull, kur flasim ne në fushë të jetë edhe më faull. Tani marrin edhe topin dhe dalin nga fusha. Si kalamajtë dje, kanë marrë topin kërkojnë 5 minuta pushim dhe s’dalin të japin llogari para qytetarëve e socialistëve që i kanë votuar, para opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar që është i shqetësuar për këtë çështje, po menduan se do merrnin topin me vete dhe ikën si kalamajtë se u shqetësuan. Do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer në shina kushtetuese. I bëj thirrje administratës së Kuvendit që të dërgojë sot kërkesat për informacion drejtuar institucioneve. Është vendimi i ndërmjetëm i komisionit që është i detyrueshëm për të zbatuar dhe çdo vonesë e abuzim përbën shpërdorim detyre dhe në rastin më të keq bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal”, u shpreh Salianji.