October 2, 2024
Bota Lajmi i fundit

Zbulohen falsifikatorët e dokumenteve, tre të arrestuar në Yzberisht

Policia e Shtetit ka arrestuar tre persona, të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve, në një subjekt privat (firmë), në Yzberisht, ku kryheshin dhe krime të tjera ekonomiko-financiare.

Pas hetimeve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Vula”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Ç. B., 53 vjeç, banues në Tiranë, bashkëpronar i firmës, i dënuar më parë ndër të tjera dhe për kontrabandë; A. R., 55 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i firmës; F. Sh., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit Ç. B. dhe A. R., nëpërmjet vulave false të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, iu siguronin dokumente (leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore dhe dëshmi të aftësive profesionale) shtetasve të ndryshëm. Ndërkaq, shtetasi F. Sh. u kap në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie, të dyshuar të falsifikuar.

Në ambientet e subjektit privat u gjetën 210 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe u konstatua se ishin punësuar shtetas, pa u siguruar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.