May 23, 2024
Tirana, Albania
Kosova Lajmi i fundit

Vuçiç hakmerret për KiE, ndalohen qindra kosovarë në kufij, mes tyre zv.drejtori i policisë

Mbi 300 shtetas kosovarë janë ndaluar në pikat kufitare që lidhin Kroacinë me Serbinë dhe Hungarinë me Serbinë, nga ajo që është cilësuar si hakmarrje ndaj avancimit të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

 

Qytetarëve iu janë marr dokumentet personale si dhe ato të mjete për t’iu pamundësuar edhe kthimin mbrapsht. Disa prej tyre edhe janë pyetur nëse kanë qenë pjesë eUshtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

“Për çdo autobus të Kosovës që kemi ardhur këtu na kanë thënë se janë dy apo tre persona të dyshuar. Veç e kanë bërë që kishe të shohin prej ku vjen dhe ku do të shkojë… Prej orës 23:00 mbrëmë e deri tash. Asnjë pasagjerë nuk e kanë marrë, të gjithë siç kanë qenë janë. Letërnjoftimet na kanë marrë të gjithëve dhe jemi në pritje të tyre. Nuk e dimë se çfarë po bëhet, është shumë keq për neve, sepse ka mbaruar edhe ushqimi tashmë”, tha Euron Lugaliu, drejtuesi i një prej autobusëve.

 

Në kufi, te pika doganore “Dheu i Bardhë”, e cila shfrytëzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës ka pasur radhë të gjatë si pasojë e kontrolleve të autoriteteve serbe, ndërsa më pak qarkullim është vënë re në pikat e tjera kufitare.

 

“Këtu në Merdarë në pikë kalimin kufitar që lidh Kosovën me Serbinë gjatë së mërkurë s’ka pasur lëvizje të pakta të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës. Jashtë kamerave disa prej tyre thanë se kanë pasur kontrolle të detajuara si dhe gjoba që janë shqiptuar nga pala serbe si dhe ndalim të qarkullimit të tyre në territorin serb për disa muaj”, raporton gazetari i A2CNN, Ideal Gola.

 

Gjobat nga policia serbe janë dhënë për arsye të shkeljeve të rregullave të trafikut nga100 deri në 400 euro.

 

“Kaloj gjithmonë nëpër Serbi mirëpo kësaj radhe pak na kanë vonuar në kufi dhe mu deshtë paguaj një gjobë edhe pse nuk ishte e arsyeshme prej 100 euro për shkak të rripit të sigurisë të fëmijës e cila ishte duke fjetur. Vajza e vogël kishte temperatura i tregova policit por nuk e mori parasysh”, tha qytetari Gëzim Tërziu.

 

Në mesin e të ndaluarve është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviç si dhe 6 efektivë të tjerë policie.