May 8, 2024
Tirana, Albania
Kosova Lajmi i fundit

26 vite nga dalja e UÇK, ‘Pranverat për shqiptarët ishin të përgjakshme dhe të lavdishme’

Në Drenoc është përkujtuar 26-vjetori i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Djemtë e kësaj ane u bashkuan me jehonën e pushkëve të lirisë më 26 prill të vitit 1998, për të dhënë kontributin historik në çlirimin e Kosovës.

 

Në manifestimin qendror të daljes publike të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi tha se kontributi i UÇK-së do të jetojë brez pas brezi.

 

“Pranverat për shqiptarët kanë qenë të përgjakshme dhe kanë sjellë shumë dhimbje, por edhe krenari. Ashtu siç vjen pranvera me aromën dhe veset e luleve, ashtu mbiu nga toka e nga ky popull edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Populli rilindi këtë ushtri të shpresës, duke u ringjallur nga hiri i kullave të djegura, nga vuajtjet e nënave dhe baballarëve, nga plagët që kullonin gjak”, tha Latifi.

 

Nuk u lanë pa përmendur dhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

“Ata gjykohen fshehtas, gjykohen me fjalë dhe thashetheme, gjykohen me akuza të cilat nuk janë akuza por janë nxjerrje me detyrim e dëshmive të dhëna nga shumë njerëz”, u shpreh Nait Hasani.

 

“U formuam si njësit, kemi luftuar më 14 maj 14 orë, kemi luftuar më 14 qershor që iu kemi rënë me top 14 orë. Nuk ka bërë shaka UÇK dhe emblemën e ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Edhe ajo Kosovë është çliruar cep më cep”, tregon ish-luftëtari Gashi.

 

Të pranishmit, bashkë me familjarët bënë homazhe tek të rënët për liri në Drenoc të Zatriqit.