October 9, 2024
Bota Lajmi i fundit

Operacioni special vazhdon! Rusia lëshon breshëri raketash ndaj Kharkivit

“Operacioni special ushtarak në Ukrainë do të vazhdojë”. Kështu është shprehur zëdhënësi i Kremelinit, Dmitri Peskov, citon agjencia e lajmeve Tass. Moska beson se nuk ka kushte për të negociuar me Kievin dhe si rrjedhojë të gjitha përpjekjet për uljen në bisedime duken të dështuara.

 

“Për momentin nuk ka parakushte për negociata, sepse të gjithë e kuptojnë dhe e dinë qëndrimin e Ukrainës për mospranimin e asnjë negociate. Hera e fundit që Putin foli për këtë çështje ishte gjatë një bisede me Presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko, i cili vuri në dukje se Qëndrimi rus është konsistent. Kështu që operacioni special ushtarak vazhdon”, tha Dmitri Peskov, Zëdhënës i Kremlinit.

 

Sakaq, Rusia lëshoi një breshëri raketash kundër Ukrainës. Sulmet, synonin infrastrukturën energjetike duke krijuar një bllokadë totale. Forcat ukrainase raportojnë për 34 raketa të njëpasnjëshme të lëshuara nga Rusia.

 

Ndërkohë 21 raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Dëme të mëdha pati edhe në Kharkiv, qytet kryesor në lindje të Ukrainës, ku një raketë ruse ra në afërsi të spitalit brenda të cilit ndodheshin 65 pacientë. Kryetari i Bashkisë së Kharkivit bën thirrje për mbyllje të qiellit dhe pajisjen me armë moderne për mbrojtjen ajrore, në mënyrë që Kharkivi sipas tij të mos kthehet në një Aleppo tjetër.

 

Gjatë muajve të fundit Rusia shkatërroi një nga termocentralet më të mëdha të Ukrainës dhe dëmtoi të tjerët në një sulm masiv me raketa dhe drone, ndërsa ripërsëriti përpjekjet e saj për të shënjestruar objektet energjetike të Ukrainës.

 

Në Rusi, ndërkohë, një rafineri e naftës në rajonin rus Krasnodar ndërpreu punimet, pas një sulmi të dyshuar me drone. Ministria e Mbrojtjes tha se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin kapur 66 dronë mbi rajonin jugor të vendit.

 

Dy dronë të tjerë u rrëzuan mbi gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Moska. Zyrtarët ukrainas zakonisht refuzojnë të komentojnë mbi sulmet në tokën ruse, por Ministria e Energjisë e Ukrainës tha të shtunën se dy rafineri të naftës në rajonin e Krasnodarit ishin goditur nga dronët.