May 20, 2024
Tirana, Albania
Politikë

Sterilizimi e Check up-i, Ndreca: Hetojmë qeverinë edhe pa PD, Vokshi informohet nga vëllai auditues

Një situatë kaotike shoqëron prej më shumë se një muaji mbledhjet e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi.

Shkak është bërë jo vetëm mosgjetja e dakordësisë mes kryetares demokrate Albana Vokshi dhe nënkryetarit socialist, por edhe refuzimi i këtij të fundit për të shkuar në mbledhje.

Edhe pse sipas Rregullores së Kuvendit, është e drejta e drejtuesit të Komisionit ta thërrasë mbledhjen, nënkryetari Plarent Ndreca tha për A2CNN se nuk do t’i bindet Vokshit pa ndryshuar sjellje.

Puna praktikisht është e bllokuar, por Ndreca refuzon ta pranojë që bojkoti është një skenar i PS për të zvarritur hetimin parlamentar ndaj qeverisë për kontratat me privatin për sterilizimin ë mjeteve kirurgjikale dhe kontrollin bazë shëndetësor – Check Up.

“Nuk jemi ne që e kemi bllokuar hetimin, sepse i ka të gjitha kërkesat e bëra edhe nga opozita edhe nga ne të firmosura nga sekretari dhe presim firmën e saj, ose ajo ti firmosë ose po bën blof.”

Albana Vokshi dhe Plarent Ndreca kanë ngecur tek akuzat e ndërsjella ndaj njëri-tjetrit për konfliktin e interesit.

Teksa përjashton veten nga një situatë që do ta pengonte nga ky hetim, socialisti nuk e fsheh që ka gërmuar për demokraten se ku e gjen informacionin.

“Po më rezulton që ka vëllain autidues në KLSH për këtë çështje dhe i vëllai i jep informacion. Një kallëzues politikan nuk mund të bëjë një hetim parlamentar.”

Po një avokat i çështjes së sterilizimit?

“Unë kam qenë avokat i dosjes por vetëm për një masë sigurie. Nuk kam asnjë konflikt interesi pasi kam dhënë dorëheqjen nga çdo dosje që kamë pasur.”

Edhe pse ka qenë avokat i njërit prej personave të përfshirë në dosjen e sterlizimit, Plarent Ndreca sot ende nuk e ka një përgjigje nëse ka patur shkelje apo jo në këtë koncension nga ana e zyrtarëve qeveritarë.

“E vërteta është se nuk e njoh shumë mirë dosjen. Puna ka mbetur peng i procedurës.”

Ndreca nuk mendon që ka shkelur rregulloren dhe ligjin duket miratuar vetëm me votat e mazhorancës planin e hetimit dhe kërkesat për informacion, ndërkohë që Vokshi kishte mbyllur mbledhjen pa gjetur dakordësinë.

Nënkryetari socialist shkon më tej kur paralajmëron hetim të qeverisë nga vetë socialistët, nëse Vokshi nuk ndryshon qasje.

“Nuk parashikohen që të bëhen bashkë, parashikohen që të miratohen me shumicë.”

Parlamenti ka dhënë afat këtij komisioni që të hetojë deri në fund të korrikut për këto dy kontrata koncesionare në shëndetësi, ndërsa në SPAK, hetimet kanë avancuar me atë të sterilizimit, ku ish-ministri Beqaj është nën masën e sigurisë detyrim paraqitje.