April 25, 2024
Tirana, Albania
Bota Lajmi i fundit

5 emigrantë mbyten në Kanalin Anglez pak orë pas miratimit të planit Ruanda

Një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi ishte duke u zhvilluar në Francë pas raportimeve për disa “trupa të pajetë”. Ai vjen disa orë pasi u miratua ligji i diskutueshëm i qeverisë për Ruandën, i krijuar për të ndaluar tregtinë vdekjeprurëse të trafikantëve të njerëzve.

 

Vetëm pak orë pasi Parlamenti i Britanisë së Madhe i dha jetë planit të Ruandës, që konsiston në dërgimin e azilkërkuesve të paligjshëm në shtetin afrikan, raportohet se pesë emigrantë kanë vdekur gjatë tentativës për të kaluar Kanalin Anglez me gomone.

 

Tragjedia është konfirmuar nga policia franceze, që bën me dije se një fëmijë ishte mes trupave të zbuluar në plazhin Wimereux në veri të Francës, mëngjesin e së martës.

 

Roja bregdetare franceze konfirmoi se kishte disa trupa të pajetë pas tragjedisë. Zëdhënësi nuk ishte në gjendje të konfirmonte se sa varka dhe njerëz mund të jenë ende në rrezik në det, por tha se disa operacione kërkimi dhe shpëtimi po realizohen në Kanal.

 

Ndërkohë, Reuteres duke cituar autoritetet e Francës veriore raporton se varka që pësoi kolaps kishte 110 persona në bord. Rreth njëqind emigrantë janë shpëtuar nga një rimorkiator i marinës franceze dhe po dërgohen në Boulogne.

 

Sekretari i Brendshëm britanik James Cleverly, departamenti i të cilit është përgjegjës për planin e Ruandës, shkroi në platformën X: “Këto tragjedi duhet të ndalen. Unë nuk do të pranoj një status-quo që kushton kaq shumë jetë”.

 

“Ministrat po bëjnë gjithçka që munden për t’i dhënë fund kësaj tregtie”, shtoi ai.