May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

A je takuar me Shkëlzen Berishën? Veliaj: Rrugët tona u ndanë tek gjimnazi Sami Frashëri

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka mohuar se është takuar në një darkë para disa vitesh me djalin e kryedemokratit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe gazetarin Çim Peka. Veliaj zgjodhi një media pro-qeveritare për të folur, në lidhje me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, që nga thirrja e tij në SPAK deri te korrupsioni i Dosjes 5D. Në Top News, Veliaj deklaroi se për herë të fundit me Berishën janë shkëmbyer në oborrin e gjimnazit “Sami Frashëri” kur ishin adoleshentë.

“Me Shkëlzen Berishën mund të jem shkëmbyer për herë të fundit kur kemi qenë gjimnazistë. Ai ishte një vit mbi mua. Që atëherë kam kuptuar se njeriu, që në adoleshencë fillon të kuptojë kush di të qeverisë keq dhe mirë. Edhe atëherë, në shkollë, nuk përziheshim as në oborr pasi familja ishte damkosur që solli problemet me piramidat dhe shkatërrimin e vendit. Nëse po shqyhen me njeri-tjetrin, atëherë mirë t’ju bëhet. Sepse vetë Saliu sajonte gjëra të tilla. Saliu vetë, gjatë fushatës së kaluar, tha se Erion Veliaj, në 1977-ën, dy vite para se të lindte, ishte bërë një kitarist i famshëm nga Kalifornia, kishte krijuar edhe një grup roku dhe kishte shkuar në Iran. Pra, sipas tij, unë i kisha bërë gjithë këto mëkate para se të lindja. Parimi është: kush mbjell erë, do korrë stuhi. Saliu, Zeni dhe gjithë familja e tyre, dhe ajo vajza që vjen këtu te bashkia me molotov dhe thotë “lironi babin”, janë duke korrur atë që kanë mbjellë vetë”, tha Veliaj.

Shkëlzen Berisha: Nuk jam takuar askund dhe asnjëherë, me Erion Veliajn!

Veliaj shtoi se rrugët me Shkëlzen Berishën i kanë ndarë tek oborri i gjimnazit.

“Nuk më intereson fare çfarë thotë ai sepse babanë e tij e kemi mundur tre herë në zgjedhjet e përgjithshme dhe tre herë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Meqë do të angazhohet politikisht, bujrum le të vijë, të kandidojë. Nuk më jep asnjë emocion një njeri që hodhi një fshat në erë dhe një njeri, i cili prej hallit që ka zënë babanë, detyrohet të shpenzojë paratë e veta, që të sjellë njerëz nga qytetet e tjera sepse nuk i del Tirana në protestë. Në këtë sens, ai të vazhdojë me aventurat e tij, ndërkohë unë kam punë për bërë. Rrugët tona janë ndarë që te oborri i Samiut”, tha Veliaj.