April 25, 2024
Tirana, Albania
Politikë

75 vite NATO, uron politika shqiptare: Pa Aleancën, siguria globale, e paimagjinueshme

Sot 75 vite më parë, mori jetë një nga Aleancat më të mëdha ushtarake dhe politike në botë, NATO (North Atlantic Treaty Organization). E në këtë ditë të shënuar, nuk kanë munguar urimet nga politika shqiptare, nisur nga fakti se prej 15 vitesh, edhe vendi ynë është pjesë e kësaj Aleance.

Presidenti Bajram Begaj vë theksin se “Pa NATO-n, siguria globale është e paimagjinueshme”.

“Duke shënuar 75 vjetorin e NATO-s, ne jemi të bashkuar në mirënjohje me aleatët tanë. Uniteti dhe vendosmëria kanë formësuar botën tonë të sigurt. Pa NATO-n, siguria globale është e paimagjinueshme”, shkruan presidenti Begaj.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka përzgjedhur që në këtë ditë të shënuar për Aleancën, të përmbledhë me anë të një videoje 15 vitet e Shqipërisë në NATO.

“15 vjet në familjen e NATO-s, një moment historik për Shqipërinë, dëshmi e dedikimit tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në këto vite, vendi ynë ka treguar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave të Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e paqes dhe sigurisë nëpër botë. Mirënjohje të gjithë efektivëve të Forcave të Armatosura për kontributin dhe angazhimin tuaj për të bërë këtë rrugë të mundur. Vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për të gjithë”, shkruan Peleshi.

Qëllimi i NATO-s është të garantojë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj përmes mjeteve politike dhe ushtarake dhe në ditët e sotme, ku bota po përballet me fronte lufte e me acarim të marrëdhënieve mes fqinjëve, roli i saj është thelbësor.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image